Loading...

Celiakia dhe intoleranca ndaj glutenit

Sëmundja celiake (Celiakia) është një sëmundje autoimune, që prek njerëzit e predispozuar gjenetikisht. Konsumi i glutenit në personat me celiaki shkakton dëmtime serioze në zorrën e hollë  gjë që çon në keqpërthithje të lëndëve ushqyese  dhe potencialisht në një sërë çrregullimesh intestinale dhe ekstraintestinale.

Mesatarisht 1 në 100 persona në botë vuan nga celiakia, por vetëm 30% e tyre janë të diagnostikuar, pasi simptomat e sëmundjes janë të ndryshme, kështu që pamja klinike shpesh anashkalohet dhe keqinterpretohet për një kohë të gjatë. Në të kaluarë, celiakia konsiderohej sëmundje e moshës së fëmijërisë, por ajo nuk prek vetëm fëmijët: më shumë se 70% e pacientëve të sapo diagnostikuar janë mbi moshën 20 vjeçare.

Klinika

Tabloja klinike e celiakisë është e variueshme në pacient të ndryshëm, por ndër simptomat  më të zakonshme përmendim:

  • Lodhje e theksuar
  • Humbje oreksi/ndjesi urie konstante
  • Humbje në peshë
  • Diarre ose konstipacion
  • Ndjesi fryrje
  • Dhimbje stomaku
  • Ndryshime në lëkurë: ekzemë, dermatit herpetiformis Duhring.
  • Rënie flokësh
  • Mospërthithja e zinkut dhe e seleniumit shkakton: ulcerime të mukozave.
  • Mospërthithja e vitaminës D dhe kalciumit: Osteoporozë.
  • Mospërthithja e hekurit, acidit folik dhe vitaminës B12 shkakton anemi.
  • Probleme neuropsikiatrike: Depresion, ankth, migrenë.
  • Aborte të shpeshta etj.

Diagnoza

Mjeku përmes anamnezës dhe ekzaminimit klinik, me të dyshuar për sëmundjen celiake kërkon një test gjaku për të detektuar antitrupat specifik, ku si linjë e parë janë:

  • Antitrupat anti-transglutaminazë IgA (tTG-IgA).
  • Antitrupat anti-IgA totale.

Më pas aplikohen testet e tjera në varësi të protokolleve:

  • Antitrupat anti-transglutaminazë indore të imunoglobulinës G (tTG-IgG).
  • Testi i antitrupave endomysial (EMA) IgA.
  • Antitrupat anti-gliadin (DGP) IgA dhe IgG.

Nëse indikohet biopsia, duhet të merret material bioptik nga 6 rajone të ndryshme të duodenit.

Testimi gjenetik

Njerëzit me sëmundje celiake mbartin një ose dy prej gjeneve te mëposhtme:

  • HLA DQ2
  • HLA DQ8

Por edhe 25-30% e popullsisë së përgjithshme, pa celiaki, rezulton pozitive për gjenet e lartpërmendura. Vlera parashikuese negative për testimin gjenetik  të HLA DQ2 dhe DQ8 është >99%. Kjo do të thotë se negativiteti për to, përjashton përfundimisht diagnozën e celiakisë.

Rezultati pozitiv për HLA DQ2 dhe/ose DQ8 nuk është një diagnozë e celiakisë. Megjithatë, risku në këto raste është 3 herë më i lartë krahasuar me pacientët që nuk janë bartës të këtyre gjeneve.

Protokollet e testimit    

  1. Fëmijët mbi 3 vjeç dhe të rriturit që kanë shenja dhe simptomat klinike të celiakisë.
  2. Të afërmit e rrethit të parë të njerëzve me sëmundje celiake (prindërit, vëllezërit e motrat dhe fëmijët).
  3. Çdo individ me një çrregullim autoimun të diagnostikuar, veçanërisht: pacientët me diabet mellitus i tipit 1, sëmundje autoimune të tiroides, sëmundje autoimune të mëlçisë, sindromën Down, sindromën Turner, sindromën Williams dhe mungesë selektive të imunoglobulinës A (IgA).

Testimi për celiakinë tek fëmijët nën moshën 3 vjeç

Në përgjithësi, fëmijët në rrezik për celiaki i nënshtrohen testimeve përkatëse në moshën 2 ose 3 vjeçare, përveç rasteve kur simptomat shfaqen më herët. Tek fëmijët më të vegjël se 3 vjeç, me simptoma mund të indikohet edhe diagnoza histologjike (biopsia e duodenit)  nëse serologjia (antitrupat) rezultojnë negative por ka dyshime klinike të mjaftueshme.

Diagnostikmi i hershëm ul shanset për të zhvilluar një sëmundje tjetër autoimune:

Mosha e diagnozës

Risku për të bërë një sëmundje tjetër autoimune
2-4 vjeç 10.5%
4-12 vjeç 16.7%
12-20 vjeç 27%
> 20 vjeç 34%

Terapia

E vetmja terapi e aprovuar dhe efektive për celiakinë është një dietë strikte pa gluten gjatë gjithë jetës. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se njerëzit e prekur duhet të heqin dorë plotësisht nga drithërat. Amaranti, hikërrori, meli, orizi, misri dhe quinoa janë shembuj të drithërave ose pseudo-drithërave që nuk përmbajnë gluten dhe për këtë arsye janë të lejuara. Personat me sëmundje celiake nën një dietë pa gluten duhet të ekzaminohen rregullisht klinikisht dhe serologjikisht. Nën një dietë pa gluten, nivelet e antitrupave anti-transglutaminazës (IgA) duhet të ulen ndjeshëm brenda 6 muajve dhe të jenë brenda kufijve normalë brenda 2 vjetësh.



Copyright 2023 nga Laboratori Dr. Limbach Albania, Limbach Laboratory Network ©. Ky është artikull ekskluziv i Labor Dr. Limbach, që gëzon të drejtën e autorsisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.

error: Kontenti është i mbrojtur!
×