Fruthi është një sëmundje infektive, e cila shkakton skuqje (rash), temperaturë dhe kollë. Shkaktari i saj njihte si virusi i fruthit, i cili është një nga viruset më infektive, ai transmetohet nga kontakti direkt përmes ajrit ose përmes spërklave gjatë kollitjes, teshtimës ose frymëmarrjes. Virusi qendron infektues në ajër deri në 2 orë më pas.
Ekziston një vaksinë e cila parandalon infektimin me fruth dhe njihet si vaksina MMR. Ajo të mbron nga 3 infeksione: fruthi, shytat dhe rubeola.
Fruthi mund të shkaktojë dëmtime afatgjata në mushkëri, tru ose në vesh deri në humbje jete. Këto komplikime zakonisht ndodhin te:
- Personat me HIV/SIDA ose kancer.
- Personat të imunokompromentuar.
- Gratë shtatzana.
- Persona të kequshqyer.
- Të moshuarit.
Shenjat klinike
Simptomat fillestare :
- Temperaturë (deri në 40ºC).
- Ndjesia e lodhjes dhe këputjes.
- Humbje oreksi
Pas shenjave fillestare, shfaqen :
- Skuqje të syve dhe sensitivitet i shtuar i tyre ndaj dritës.
- Teshtima dhe kollë.
- Një skuqe (rash) i lëkurës që nis në fytyrë dhe më pas përhapet në trup.
- Dhimbje fyti.
Pjesa më e madhe e pacientëve referojnë përmirësim të shenjave rreth 2 ditë pas shfaqjes së skuqjes në trup. Pas 3-4 ditësh zonat e skuqura fillojnë të marrin ngjyrë kafe dhe të largohen gradualisht. Kolla mund të persistojë edhe 1-2 javë më pas.
Shenjat e Koplikut: janë lezione tipike në mukozën orale (të gojës) që shfaqen në rast infektimi me virusin e Fruthit. Kliko këtu për të parë! |
Diagnoza
Në parim një mjek e vendos diagnozën përmes klinikës, gjithsesi diagnoza konfirmohet me teste laboratorike :
- Antitrupave IgM të fruthit (measles).
- Detektimit të RNA së virusit të fruthit me metodën Real-time polymerase chain reaction (RT-PCR) të një mostre respiratore.
Trajtimi
Nuk ekziston një trajtim specifik për fruthin gjithsesi rekomandohet:
- Regjim shtrati.
- Pirja e lëngjeve.
- Marrja e paracetamolit (acetaminophen) për të ndihmuar me temperaturën dhe dhimbjet e trupit.
Kujdes! ASNJËHERË NUK I JEPET ASPIRINË NJË FËMIJE MË TË VOGËL SE 18 VJEÇ! |
- Disa fëmijëve, mjekët i rekomandojnë edhe marrjen e vitaminës A.
Gjithsesi rekomandohet parandalimi i fruthit përmes vaksinës së MMR, e cila në kalendarin e vaksinave në Shqipëri merret me 2 doza:
- Në moshën 12 muajshe.
- Në moshën 6-7 vjeç.