Kemi dëgjuar për yndyrnat: kolesterolin e mirë, kolesterolin e keq, trigliceridet por shumë pak e njohin Lipoproteinën A.
Sëmundjet e zemrës përbëjnë shkakun numër një të vdekjeve në të gjitë botën, e ndër to kryeson sëmundja iskemike e zemrës. Me sëmundje iskemike të zemrës do të kuptojmë ato sëmundje të zemrës që shkaktohen nga ngushtimi i arterieve që furnizojnë zemrën me gjak. Ngushtimi i arterieve të zemrës, ul sasinë e oksigjenit që vjen furnizon zemrën e kjo gjë mund të shkaktojë arrestin kardiak apo infarktin e miakoradit.
Ngushtimi i mureve të enëve të gjakut vjen si rezultat i aterosklerozës, apo akumulimit e krijimit të pllakave ateromatoze të cilat përbëhen kryesisht nga lipidet (yndyrnat), qeliza, kripëra e mbetje të tjera qelizore. Ateroskleroza ka risk më të lartë të shfaqet në individë me një histori familjare për të apo patologji të tjera të zemrës. Nëse mjeku dyshon se ju mund të keni ndonjë patologji të zemrës, përveç ekzaminimeve ekografike apo elektrokardiografike do t’ju përshkruajë edhe matjen në gjak të sheqerit dhe yndyrnave.
Paneli i vlerësimit të yndrynave quhet Lipidogramë, dhe nëpërmjet saj ne në laborator masim nivelin e:
- Kolesterolit total
- HDL Kolesteroli (njihet si kolesteroli “i mirë”)
- LDL Kolesteroli (njihet si kolesteroli “i keq”)
- Trigliceridet
- Jo-HDL Kolesteroli
Ndërkohë shumë e rëndësishme po ashtu që të matet edhe glicmia apo sheqeri në gjak, sepse tashmë Diabeti konsiderohet si një faktor i rëndësishëm risku për sëmundje të ndryshme e në veçanti ato të zemrës.
Testi i Lipoproteinës A është një test relativisht i ri, që kohë më parë nuk ishte i studiuar e as i standardizuar për përdorim si vlerësues risku për sëmundje kardiake. Lipoproteina A në vetvete është një lloj LDL Kolesteroli. Ajo çfarë është e veçantë për Lipoproteinën A, është se ndikohet më tepër nga faktorë gjenetikë se sa nga stili i jetesës. Pra, një individ në moshë të re në dukje i shëndetshëm, pa shenja klinike dhe pa ndryshim të vlerave të Kolesterolit mund të ketë një LpA të rritur. Rritja e LpA është një faktor i pavarur risku sipas Shoqatës Amerikane të Zemrës.
Studimet mbi LpA tregojnë se ajo mund të na shërbejë shumë mirë si markues i sëmundjeve të zemrës dhe mund të ndihmojë në mjekësinë parandaluese. Rreth 20% e popullatës parashikohen të kenë vlera të rritura të Lipoproteinës A prandaj sugjerohet që mjekët dhe kardiologët të rekomandojnë matjen e LpA, jo vetëm në individët me histori familjare për sëmundje kardiake por edhe në mënyrë rutinë.
Lipoproteina A e rritur mund të jetë gjithashtu shkaku i një terapie jo efektive apo të dështuar me medikamente hipolipemiante siç mund të jenë klasa e statinave që njihen në gjuhën e thjeshtë edhe si “ilaçet e yndyrnave”.
Lipidograma, glicemia dhe Lipoproteina A sugjerohen që të maten esëll në mëngjes, ku të keni minimalisht 8 orë pa konsumuar ushqim.
Klikoni këtu për të parë panelin ekzaminues.
Për më tepër informacion në lidhje me këtë test, apo të teste të tjera, mos hezitoni të na kontaktoni në:
info@labor-limbach.al apo në tel. : +355 4 452 2000 .
Copyright 2023 nga Laboratori Dr. Limbach Albania, Limbach Laboratory Network ©. Të gjitha të drejtat e rezervuara.